Starton sezoni i ri politik, pritet dekreti i presidentit për mbledhjen e parë të parlamentit

Javën e ardhshme do të mblidhet Parlamenti i ri dhe zyrtarisht do të nisë mandati i 4-t i socialistëve të drejtuar nga Edi Rama në pushtet.
Beteja ligjore për zgjedhjet parlamentare mori fund të enjten, dhe tani pritet vetëm që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të thërrasë mbledhjen e parë të Parlamentit.
Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se 140 deputetët e dalë nga procesi i 11 majit do të mblidhen të premten, më 12 shtator, duke shënuar nisjen e legjislaturës së re.
Para mbledhjes së parë të Parlamentit, të dy forcat kryesore politike në vend do të mbledhin forumet për të përcaktuar strategjinë politike në këtë fillim sezoni politik.
Mëngjesin e 11 shtatorit, Kryeministri Edi Rama do të shpallë para Asamblesë Kombëtare të PS prioritetet dhe ekipin me të cilin ai do të qeverisë në 4 vitet e ardhshme.
Është pothuajse e pamundur të parashikohen anëtarët e kabinetit të qeverisë “Rama 4”, por ajo që mund të thuhet është se ky ekip do të punojë për të mbyllur negociatat me Bashkimin Evropian brenda 4 viteve, në funksion të premtimit kryesor elektoral të Edi Ramës që Shqipëria të bëhet anëtare e BE në vitin 2030.
Në kampin tjetër, Sali Berisha pritet të mbledhë të martën ose të mërkurën Kryesinë e PD dhe grupin e ri parlamentar.
Pas humbjes së 11 majit, Berisha nuk ka mbledhur asnjë forum për të diskutuar për rrugën ku do të ecë Partia Demokratike në këtë mandat të 4-t në opozitë.
Nuk pritet që këto mbledhje të çelin debatin për ristrukturimin e PD, por vetëm qëndrimin që opozita do të mbajë në Parlament dhe betejën për të denoncuar procesin e 11 majit, që për PD ishte një farsë elektorale.
Tashmë është e qartë se PD do të shkojë në Parlament, por mbetet për t’u parë nëse Sali Berisha do të vendosë të nisë aksionin politik me një ekip të ri apo do të ruajë të njëjtët drejtues të grupit parlamentar dhe komisioneve që i takojnë opozitës.
/vizionplus.tv