E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Stërvitje kërkim-shpëtimi pranë aeroportit të Rinasit, Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka emergjencë reale

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministria bën të ditur se në këtë aktivitet do të angazhohen disa institucione dhe struktura të emergjencave, me qëllim testimin e reagimit dhe koordinimit në rastin e një aksidenti ajror.

Autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë për një skenar të simuluar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale.

Njoftimi i plotë:

Sot, më datë 4 Nëntor 2026, nga ora 10:30 deri në orën 12:00, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”, e organizuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave në rastet e aksidenteve ajrore.

Në stërvitje do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), Policia e Shtetit, ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

 Stërvitja do të zhvillohet mbi bazën e një skenari të simuluar, që parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit.

Qëllimi është testimi i procedurave të reagimit, koordinimit ndërinstitucional dhe angazhimit të njësive të kërkim-shpëtimit për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Gjatë zhvillimit të stërvitjes, qytetarët mund të konstatojnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit.

 Ministria e Mbrojtjes sqaron se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale.

Stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave pjesëmarrëse dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të emergjencës në aviacionin civil.

Ministria e Mbrojtjes falënderon qytetarët për mirëkuptimin!

Lajme të Sugjeruara

Senati amerikan, demokratët kryesojnë në shtatë gara kyçe

Senati amerikan, demokratët kryesojnë në shtatë gara kyçe

Brenda lëvizjes studentore pa lider që përmbysi Vuçiçin dhe përgatitet të qeverisë Serbinë

Brenda lëvizjes studentore pa lider që përmbysi Vuçiçin dhe përgatitet të qeverisë Serbinë

Luftë për miliardat e Michael Jackson, vajza e tij i del kundër administratorit të pasurisë!

Luftë për miliardat e Michael Jackson, vajza e tij i del kundër administratorit të pasurisë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›