E Diel, 1 Nëntor 2026

Stoichkov në “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, vijojnë garat dhe gjuetia tradicionale me skifterë

ABU-DABI, 12 shkurt /ATSH – Gjergji Mima/ Garat e “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” vijuan me intensitet në ditën e shtatë të aktivitetit, me sportistë që konkurruan në një gamë të gjerë disiplinash në mbarë emiratet, ndërsa spektatorë, nxënës dhe të ftuar u mblodhën në impiantet sportive dhe në Community Hubs për të përjetuar nga afër atmosferën e Lojërave.

Një nga momentet kryesore të ditës ishte vizita e legjendës së futbollit bullgar, Hristo Stoichkov, i cili zhvilloi një tur në ADNEC, ku ndoqi disa nga garat dhe u njoh me aktivitetet e Community Hub.

Më pas, Stoichkov vizitoi Qytetin Sportiv Zayed, ku u takua me sportistë dhe tifozë gjatë një sesioni “meet and greet”, duke krijuar momente të veçanta për pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Gjatë ditës vijuan edhe garat e gjuetisë me skifterë në Klubin e Skifterëve të Abu-Dabit në Al Falah, një nga sportet tradicionale më të çmuara të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pjesë e disiplinave të trashëgimisë kulturore të përfshira në Lojërat e Hapura Masters Abu Dhabi 2026.

Përfshirja e garës së gjuetisë me skifterë nënvizon angazhimin e Lojërave për të promovuar trashëgiminë kulturore emiratase, krahas disiplinave sportive ndërkombëtare.

Tifozët vijuan të mbushin tribunat në të gjitha impiantet sportive, duke mbështetur sportistët dhe duke kontribuar në atmosferën dinamike që ka karakterizuar Lojërat.

Nxënës nga shkolla të ndryshme vizituan ADNEC, ku ndoqën garat dhe aktivitetet e Community Hub, ndërsa në Qendrën e Notit të Abu-Dabit, grupe nxënësish morën pjesë si spektatorë në garat e notit, duke u njohur nga afër me sportistët dhe konkurrimin.

Me vetëm tre ditë të mbetura deri në përfundimin e “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, garat vijojnë në të gjitha impiantet, duke bashkuar sportistë nga e gjithë bota në një festë të sportit, shkëmbimit kulturor dhe pjesëmarrjes aktive gjatë gjithë jetës.

Garat e “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 37

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›