Garat e gjuetisë me skifterë, simbol i trashëgimisë emiratase në “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”

ABU DHABI 12 shkurt /ATSH/ Garat e gjuetisë me skifterë vijuan edhe në ditën e shtatë të “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” në Klubin e Skifterëve të Abu-Dabit, në Al Falah, duke sjellë në fokus një nga sportet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas sportistëve pjesëmarrës, skifteri ka qenë historikisht pjesë e pandarë e jetës emiratase.
“Skifteri për ne është si një kafshë shtëpiake që e kemi trashëguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, të cilët e përdornin për gjueti dhe për të siguruar ushqim. Ai ka luajtur një rol thelbësor në mbijetesën dhe zhvillimin e komuniteteve tona,” u shpreh një nga garuesit.
Ai theksoi se sot, në vitin 2026, skifteri përfaqëson jo vetëm një sport tradicional, por edhe një simbol kombëtar, duke qenë pjesë e flamurit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Garat e përfshira në “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” shihen si një mënyrë për të ruajtur dhe promovuar këtë trashëgimi për brezat e rinj.
Sa i përket aspektit konkurrues, pjesëmarrësit nënvizuan nivelin e lartë të garës. “Pjesa më e vështirë e përgatitjes është se nuk e di kurrë se kundër kujt po garon. Vetëm në këtë disiplinë sot janë 175 garues nga mosha dhe zona të ndryshme të Emirateve,” tha sportisti, duke shtuar se rezultati përfundimtar varet nga përgatitja, gjendja shëndetësore e skifterit dhe faktorë të tjerë të paparashikueshëm.
Garat u ndoqën nga një numër i madh spektatorësh, vizitorësh dhe nxënësish, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me këtë sport tradicional dhe rëndësinë e tij kulturore.
Përfshirja e gjuetisë me skifterë në “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” nënvizon angazhimin e organizatorëve për të ndërthurur sportin ndërkombëtar me trashëgiminë kulturore emiratase, ndërsa Lojërat vijojnë në të gjitha impiantet sportive me vetëm tre ditë të mbetura deri në përfundimin e aktivitetit.
Garat e “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 15/gj.m/a.f/