Strategjia Kombëtare e Industrisë, rritje të industrisë përpunuese dhe eksporteve me vlerë të shtuar

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nisi konsultimin publik për Strategjinë Kombëtare të Industrisë 2026-2030, e cila synon të rrisë peshën e industrisë në ekonomi dhe të përshpejtojë kalimin drejt një modeli prodhimi me vlerë të shtuar më të lartë.
Sipas dokumentit, industria përpunuese pritet të jetë një nga motorët kryesorë të rritjes, me objektiv rritje prej rreth 30-35% të vlerës së shtuar industriale deri në vitin 2030, e mbështetur nga zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe modernizimi teknologjik.
Një nga sektorët prioritarë është industria përpunuese ushqimore, e cila aktualisht zë rreth 18% të prodhimit industrial, por mbetet me nivel të ulët eksportesh të përpunuara. Strategjia parashikon rritje të eksporteve të këtij sektori me deri në 50% në periudhën 2026-2030, përmes standardizimit dhe integrimit në tregun e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, industria e lehtë dhe tekstile-konfeksionet, e cila përbën një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, synohet të kalojë nga modeli “fason” drejt prodhimit me markë dhe dizajn vendas, me rritje të parashikuar të vlerës së shtuar me rreth 25-30%.
Një shtyllë e rëndësishme është edhe industria minerare dhe përpunimi i lëndëve të para, ku Shqipëria synon të rrisë nivelin e përpunimit vendas të kromit, nikelit dhe bakrit, me objektiv rritjen e vlerës së eksportuar të përpunuar me deri në 40%, duke kaluar nga eksporti i lëndës së parë drejt produkteve gjysmë të përpunuara.
Strategjia parashikon gjithashtu rritjen e numrit të ndërmarrjeve industriale të integruara në zinxhirët evropianë të furnizimit, me synimin që deri në vitin 2030 të dyfishohet numri i kompanive që eksportojnë rregullisht në tregun e BE-së.
Në qendër të reformës qëndron modernizimi teknologjik, ku pritet rritje e ndjeshme e investimeve në automatizim dhe digjitalizim industrial, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostove të prodhimit.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është zhvillimi i kapitalit njerëzor, ku parashikohet që një pjesë më e madhe e fuqisë punëtore industriale të kalojë në formim profesional të përshtatur me nevojat e industrisë së re, duke adresuar mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, strategjia synon të kalojë nga një industri me orientim të kufizuar në tregun vendas drejt një industrie të integruar në tregun evropian, më konkurruese dhe më të orientuar drejt eksporteve me vlerë të shtuar.
Procesi i konsultimit publik përfshin institucionet qendrore, biznesin, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të ndërtuar një model industrial më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rritjes ekonomike afatgjatë.
/r.e/