E Diel, 1 Nëntor 2026

Falja e gjobave tatimore, DPT: Deklaratat e padorëzuara pranohen deri më 30 qershor

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Administrata Tatimore rikujtoi tatimpaguesit se 30 qershori është afati i fundit për dorëzimin e deklaratave tatimore të padorëzuara për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, me qëllim përfitimin nga falja e gjobave për mosdeklarim në afat.

“Tatimpaguesit që kanë deklarata tatimore të padorëzuara për periudha deri më 31.12.2024 kanë kohë deri më 30 qershor 2026 për t’i dorëzuar dhe për të përfituar nga fshirja e gjobave për mosdeklarim në afat. Tatimpaguesit që nuk respektojnë afatin ligjor do të humbasin të drejtën për të përfituar nga kjo lehtësi e parashikuar në ligj”, bën të ditur DPT.

Lehtësitë parashikohen nga ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili synon të lehtësojë barrën administrative dhe financiare për bizneset.

Sipas Administratës Tatimore, përveç faljes së gjobave për deklarim të vonuar, bizneset do të përfitojnë edhe nga fshirja e një sërë gjobash administrative të vendosura automatikisht deri më 31 dhjetor 2024.

Në kategorinë e përfituesve përfshihen gjobat që lidhen me pajisjet fiskale, moslëshimin e kuponit tatimor, mosdeklarimet në afat, si dhe gjobat e vendosura nga inspektorët tatimorë.

Po ashtu, ligji parashikon faljen e dënimeve administrative automatike për mosdeklarim në afat dhe të penaliteteve që lidhen me afatet e deklarimit të të punësuarve.

Në listën e masave që përfitojnë nga falja përfshihen edhe gjobat për dorëzimin me vonesë të vendimit të ortakut, si dhe ato për dorëzimin e vonuar të pasqyrave financiare për periudhat e llogaritura deri më 31 dhjetor 2024.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›