E Martë, 3 Nëntor 2026

Strategjia për të Ardhurat dhe projekti UC-SATA synojnë rritjen e besimit te Tatimet

Tiranë, 5 qershor /ATSH/ Forcimi i kapaciteteve të administratës tatimore, rritja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve fiskale dhe lufta kundër informalitetit ishin temat kryesore të diskutimit gjatë një paneli të zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të projektit UC-SATA – “Duke i hapur rrugë ndryshimit: Forcimi i Administratës Tatimore në Shqipëri”.

Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe partnerëve ndërkombëtarë për të vlerësuar progresin dhe sfidat gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë së të Ardhurave Afatmesme.

Projekti UC-SATA, i financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, synon të mbështesë modernizimin e sistemit tatimor përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të efikasitetit operacional dhe rritjes së besimit midis administratës tatimore dhe publikut.

Zbatimi i Strategjisë është një hap kyç për të ndërtuar një administratë më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të aftë për të luftuar të ardhurat e padeklaruara dhe për të reduktuar informalitetin në ekonomi.

Të pranishëm në këtë panel ishin kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ilir Binaj, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, kreu i programeve Simon Charters, menaxherja për Sektorin Privat Enxhi Terihati dhe përfaqësues të institucioneve zbatuese dhe mbështetëse të projektit.

Ky bashkëpunim shumëpalësh synon të krijojë një mjedis më të qëndrueshëm fiskal dhe të përforcojë përmbushjen vullnetare si themel i një administrate tatimore moderne dhe efikase. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›