Marrëveshja me BERZH, Malaj: Instrument kyç për përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE-së

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), lidhur me Marrëveshjen e Huasë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE GROUP) për projektin e qëndrueshmërisë financiare.
Ministri Malaj nënvizoi rëndësinë që ka miratimi i këtij projektligji, si një instrument kyç për mbështetjen dhe përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE GROUP, institucion i cili ka një rëndësi të veçantë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit të energjisë në vend.
Malaj bëri të ditur se qëllimi i projektligjit është të sigurojë për OSHEE-në garancinë që do t’i ofrojë mundësinë për të përfituar një financim nga BERZH në vlerën prej rreth 45.7 milionë euro, të cilat do të përdoren për rifinancimin e detyrimeve të OSHEE GROUP ndaj bankave të nivelit të dytë.
“Kjo masë financiare është e domosdoshme për përballimin e presioneve të likuiditetit dhe përmirësimin e bilancit financiar të OSHEE GROUP, duke siguruar kushte më të favorshme për menaxhimin e detyrimeve financiare”, shtoi ai.
Sipas ministrit Malaj, Marrëveshja e Garancisë ka si qëllim të garantojë të gjitha detyrimet që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike merr përsipër nëpërmjet marrëveshjes së huasë që lidhet me BERZH.
Ministri informoi se OSHEE GROUP, në fund të vitit 2021 ka marrë overdraft, me garanci shtetërore, në vlerën totale prej rreth 81.5 milionë euro, sipas marrëveshjeve overdraft me bankat e nivelit të dytë, të cilat janë rinovuar çdo vit dhe janë efektive aktualisht.
“Këto financime, pavarësisht se kanë mundësuar mbështetje të menjëhershme, kanë krijuar një kosto financiare të lartë për shoqërinë, për shkak të kushteve të normave të interesit dhe periudhës së shkurtër të ripagimit”, shtoi ai.
Ky projektligj, sipas ministrit, synon të ristrukturojë këtë borxh, duke ofruar mundësinë e një huaje afatgjatë me kushte shumë më të favorshme.
“Kreditimi i propozuar nga BERZH për një periudhë 12-vjeçare (me tre vite periudhë grace) dhe me një normë interesi të bazuar në Euribor 6-mujor + marzh 1%, është më i favorshëm në krahasim me kreditë e afatshkurtra aktuale, të cilat përfshijnë norma të larta interesi dhe komisione të tjera administrative. Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksojmë se, pas një analize të thelluar kosto totale e kredisë afatgjatë, sipas kushteve e termave të BERZH, është më e ulët se kosto e overdrafteve aktuale, duke rezultuar me një kursim për OSHEE në vlerën rreth 7.1 milionë euro dhe duke ulur ndjeshëm ngarkesën financiare”, tha Malaj.
Ministri i Financave informoi se për të garantuar një ekuilibër të duhur financiar dhe për të ruajtur stabilitetin e tregut të kredive në Shqipëri, BERZH ka pranuar të ndajë rreth 50% të financimit të huasë me bankat tregtare vendase.
“Një angazhim i rëndësishëm ky për të mbajtur balancën e tregut të financimeve dhe për të ruajtur konkurrencën e shëndoshë në sektorin bankar shqiptar”, shtoi Malaj. /j.p/