E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Studentët e refuzojnë cdo ditë, Rama fton studentët sërish në dialog

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe këtë të mërkurë thirrjen për dialog drejtuar studentëve, të cilët prej disa javësh vijojnë protestat kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Kreu i qeverisë ka publikuar sërish imazhin e tryezës prej guri, mbi të cilën ka vendosur shënimet me mbishkrimin “Dialog”, duke përcjellë kështu të njëjtin mesazh për hapjen e një komunikimi me studentët.

Megjithatë, deri më tani, studentët kanë refuzuar ftesat e kryeministrit për dialog, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre kryesore mbetet largimi i Ramës nga detyra.

Protestat vijojnë prej disa javësh në Tiranë, ku studentët organizojnë marshime në rrugët e kryeqytetit dhe ndalen në fakultete të ndryshme, duke bërë thirrje për përfshirjen e më shumë studentëve në këtë lëvizje.
Në krah të protestuesve janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur mbështetjen për kauzën e tyre.
Në shenjë kundërshtimi ndaj situatës, studentë dhe pedagogë kanë bojkotuar procesin mësimor, ndërsa protestat dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit vijojnë çdo ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›