Studentët kërkojnë në Kushtetuese shfuqizimin e tre akteve normative për protestat - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Studentët e grupimeve “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan sot në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.
Studentët bënë me dije se kundërshtimi lidhet me Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të cilat, sipas tyre, kufizojnë të drejtën për protestë dhe hapësirën e shprehjes së kundërshtimit qytetar.
Në këtë nismë janë bashkuar edhe Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.
Sipas studentëve, Akti Normativ nr. 5/2026 i jep policisë kompetenca për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarët nga zonat e mbrojtura, për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe për të vendosur gjoba deri në 500 mijë lekë.
Ndërsa Akti Normativ nr. 6/2026 parashikon, sipas ankuesve, përgjegjësi solidare për organizatorët e protestave për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë, si dhe vendosjen e gjobave për sjellje të kryera përpara se këto sanksione të ekzistonin.
Në fokus të kundërshtimit është edhe VKM-ja nr. 815/2026, e cila, sipas studentëve, krijon një regjistër policor që mund të sjellë kufizime të lirisë së lëvizjes, njoftimin e shteteve ku udhëtojnë personat e regjistruar, si dhe komunikimin e të dhënave të tyre me strukturat hoteliere.
Përmes tre ankimeve, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë çështjet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri nga studentët për mediet.
Ata kërkuan që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi.
“I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues”, tha një tjetër student.
/m.q/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
