E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studime master në Turqi për pesë punonjës policie me gradën “Inspektor”

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Pesë punonjës të Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor” mund të kryejnë studimet master në Akademinë e Policisë Turke.

Policia e Shtetit në një postim në rrjetet sociale tha se “nga Qendra Arsimore për Drejtues të Nivelit të Parë në Akademinë e Policisë, pranë Akademisë së Policisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Turke, gjatë vitit akademik 2025-2026 ofrohet ndjekja e studimeve për arsimin e lartë pasuniversitar (master pa tezë) në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi”.

Mësohet se kohëzgjatja e studimeve është dy vjet, një vit arsimim përgatitor në gjuhën turke dhe një vit arsimim për Drejtues të Nivelit të Parë (roli i parë drejtues).

Kriteret e pranimit janë: të jetë punonjës policie me gradën Inspektor; të jetë i diplomuar në Bachelor; të mos jetë më shumë se 27 vjeç.

Gjithashtu kandidatët duhet të jenë të aftë fizikisht dhe të gëzojnë shëndet të plotë, sipas “Rregullores për Kushtet Shëndetësore të Organizatës së Policisë” të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Republikës së Turqisë.

Dokumentet që duhet të paraqesë kandidati janë: Fotokopje e pasaportës (me vlefshmëri të paktën 2 vjet); 8 (tetë) fotografi biometrike të përshtatshme për identifikim; Origjinali i diplomës ose certifikatës së diplomimit, ose kopje e noterizuar në të dyja anët. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të noterizuara.

Aplikimi bëhet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorive Vendore ku aplikantët kanë vendbanimin në juridiksionin e tyre, si dhe në Sektorin e Burimeve Njerëzore në Akademinë e Sigurisë.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›