Studimi: Alarm tek Gen Z, ulen aftësitë njohëse

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Një studim i ri ndërkombëtar sugjeron se brezi Gen Z mund të jetë i pari ndër brezat modernë që shfaq mesatare më të ulët të inteligjencës dhe rezultate më të dobëta në testet njohëse, krahasuar me Millennials dhe Gen X.
Sipas studiuesve, rënia lidhet me varësinë gjithnjë e më të madhe nga mjetet e inteligjencës artificiale, telefonat inteligjentë dhe përmbajtjet dixhitale të shkurtra, të cilat po ndikojnë në aftësitë e arsyetimit kritik, kujtesës dhe përqendrimit afatgjatë.
Të dhënat, që mbështeten në matje të performancave njohëse në vende të ndryshme të botës, tregojnë se prirjet e rënies kanë nisur rreth vitit 2010, duke përkuar me përhapjen masive të teknologjive të reja dhe ndryshimet në mënyrën se si të rinjtë konsumojnë informacion.
Studiuesit paralajmërojnë se gjetjet nuk duhen interpretuar si një krizë e pashmangshme, por si një sinjal për të rishikuar balancën mes teknologjisë dhe zhvillimit të aftësive thelbësore njerëzore, si leximi i thelluar, analiza dhe kreativiteti.