Turqi – Pastruesit kthejnë librat e hedhur në një bibliotekë të pazakontë

ANKARA, 11 shkurt/ATSH/ Një nismë e pazakontë në Turqi po frymëzon botën duke treguar se edhe ajo që njerëzit hedhin tutje mund të kthehet në vlerë. Punonjësit e pastrimit në Ankara krijuan një bibliotekë të tërë vetëm nga librat e hedhura në plehra që ata gjenin gjatë punës së tyre të përditshme.
Ajo që nisi si një koleksion i vogël për vete dhe familjet e tyre u rrit me shpejtësi, duke i shtyrë punonjësit të hapin bibliotekën për publikun. Sot, ajo ndodhet brenda një fabrike të braktisur tullash, e rikthyer në një hapësirë kulturore.
Biblioteka numëron mbi 6 mijë libra, që variojnë nga romane, tek libra shkencorë e deri te letërsia për fëmijë. Në vazhdim të nismës, punonjësit rikthyen në përdorim edhe një kamion mbeturinash, të cilin e shndërruan në bibliotekë lëvizëse, duke çuar libra në shkolla dhe komunitete që kanë më shumë nevojë.
Kjo nismë ka shpëtuar mijëra libra nga riciklimi, duke nxitur njëkohësisht leximin, edukimin dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Është një shembull i fuqishëm që tregon se dëshira për të krijuar dhe vullneti mund të kthejnë edhe “mbeturinat” në një thesar.