Studimi: Qytetarët nuk mbulojnë dot humbjet nga fatkeqësitë natyrore

Teksa fatkeqësitë natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike po bëhen më të shpeshta, me thatësira e zjarre në verë dhe përmbytje në dimër, shumica e banorëve që preken prej tyre nuk kanë mundësi të mbulojnë humbjet.
Të dhënat bëhen të ditura nga një studim i “Geographica Pannonica” së bashku me pedagogë të Universitetit të Tiranës, ku është nxjerrë në pah se 61% e banorëve në zonat rurale dhe 80% në zonat urbane nuk kishin kursime të mjaftueshme për të mbuluar humbjet.
Kjo diferencë e lartë mes zonave rurale dhe urbane lidhet me aftësinë për të kursyer. Popullsia rurale e ka më të lehtë të kursejë vlera monetare në krahasim me zonat urbane, për shkak të kostove më të larta të jetesës në qytet.
Sipas studimit të revistës shkencore ndërkombëtare, njerëzit me të ardhura më të larta kanë një tolerancë më të madhe ndaj rrezikut të fatkeqësive, ndoshta sepse ndihen më të sigurt financiarisht dhe të aftë për t’u përballur me pasojat. Ata gjithashtu mund të përballojnë strehim, sigurime dhe burime më të mira rimëkëmbjeje, duke zvogëluar kështu cenueshmërinë e tyre.
Studimi zbulon se banorët e qytetit shpesh i perceptojnë përmbytjet si të pashmangshme. Në studim janë marrë banorët e Novoselës dhe Dajçit, dy prej zonave më problematike në Shqipëri përsa i përket rrezikut nga përmbytjet.
Sipas Bankës Botërore, për shkak të fatkeqësive natyrore, Shqipëria ka pësuar humbje mesatare vjetore që arrijnë në rreth 2.5% të PBB-së, pa llogaritur dëmet e shkaktuara në vitin 2025 nga përmbytjet dhe zjarret.
LEXO EDHE: Portofoli i risiguruesve të SIGAL/ Garanci dhe ekspertizë ndërkombëtare