E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi/ Shkurtimet e ndihmave mund të shkaktojnë 22 milionë vdekje deri në vitin 2030

Një studim i fundit i Lancet Global Health ka nxjerrë alarm për ndikimet dramatike të shkurtimit të ndihmave ndërkombëtare, duke parashikuar se mund të çojnë në më shumë se 22 milionë vdekje të shmangshme deri në vitin 2030, përfshirë 5.4 milionë vdekje fëmijësh nën 5 vjeç.

Në dy dekadat e fundit, ndihmat për vendet në zhvillim kanë ndihmuar në uljen dramatike të numrit të fëmijëve që vdesin nga sëmundjet infektive. Por, sipas këtij modeli, këto përparime mund të përmbyset për shkak të shkurtimeve të menjëhershme të buxhetit nga disa vende donatore të rëndësishme, si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në analizën e tij, studimi shqyrtoi lidhjen midis vëllimit të ndihmës dhe shkallës së vdekshmërisë nga vitet 2002 deri në 2021 dhe parashikoi tre skenarë të mundshëm për të ardhmen.

Në skenarin më të keq, ku ndihmat do të shkurtoheshin ndjeshëm, parashikohet që 22.6 milionë njerëz do të vdesin deri në vitin 2030, përfshirë 5.4 milionë fëmijë. Në një skenar ku do të kishte një shkurtim më të lehtë të fondeve, pritet të ndodhin 9.4 milionë vdekje shtesë, përfshirë 2.5 milionë fëmijë nën 5 vjeç.

Shumica e vendeve donatore, përfshirë Gjermaninë, SHBA-në dhe Suedinë, kanë bërë njoftime për shkurtime të buxheteve të ndihmave. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të ndihmës nga SHBA-ja, për shembull, do të ulet me më shumë se gjysmën deri në vitin 2025, nga 68 miliardë dollarë në 32 miliardë dollarë. Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të zvogëlojë shpenzimet për ndihma nga 0.5% në 0.3% të PBB-së deri në vitin 2028, duke i drejtuar këto fonde për financimin e shpenzimeve ushtarake.

Studimi thekson rëndësinë e ndihmave ndërkombëtare, të cilat kanë kontribuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet infektive, përfshirë HIV/AIDS dhe malarien, si dhe në trajtimin e mangësive ushqyese. Eric Pelofsky, nënkryetar i Fondacionit Rockefeller, i cili ka mbështetur financiarisht këtë studim, e cilësoi hendekun e financimit të ndihmës si “shumë të madh për t’u përballuar” nga organizatat joqeveritare. Ai shtoi se, për shkak të këtij hendeku, organizatat filantropike janë duke u fokusuar gjithashtu në inovacione të reja dhe në ndikimin mbi vendimmarrësit politikë për të adresuar këtë krizë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›