Studimi për bullizmin në shkolla – Rekomandime për reduktimin e fenomenit

Sjelljet agresive, të qëllimshme dhe të përsëritura kundrejt dikujt që ka vështirësi të vetëmbrohet po bëhen gjithnjë e më prezente në institucionet tona shkollore.
Sipas një studimi kombëtar të kryer për bullizmin në arsimin parauniversitar, konstatohet se ky është një fenomen zinxhir që përhapet me shpejtësi, dhe targeti i këtyre ngacmimeve nuk janë vetëm nxënësit, por edhe familjet e tyre.
“Fenomeni është prezent në gjithë Shqipërinë. Ka një mesatare të përgjithshme e cila është e krahasueshme me parametra edhe të studimeve të tjera ndërkombëtare në vende të tjera. Na ka prekur zonën rurale dhe zonën urbane, na ka prekur shkollat jo publike dhe shkollën publike. Pra, në profil është një fenomen i cili është prezent brenda jetës së fëmijëve tanë.”
Në analizën e thelluar të këtij studimi, përveç nxënësve, përfshihen edhe shumë aktorë të tjerë si mësuesit, prindërit, drejtuesit e shkollave dhe psikologët.
“Komponenti i prindërve është një komponent të cilët e pohojnë me fuqi më të madhe numerike dëmin e fenomenit. E pohojnë me fuqi më të madhe numerike pranimin e të qenurit fëmija i vet viktimë e bullizmit, por edhe e nënkuptojnë edhe të qenien si autor i bullizmit. Nga ana tjetër kemi dhe komponentin e mësuesve të cilët edhe ata në vetvete kanë pohime më të larta sesa vetë nxënësit për fenomenin. E shohin si pjesë të tyre dhe kanë ngurimet e tyre në raportime. Ashtu si ky ngurim del edhe te fëmija nën cilësime dhe etiketime brenda njëri-tjetrit dhe nofkave që i vënë.”
Në studim konstatohet se nuk mungojnë strukturat në shkollë, por autonomia për të vepruar.
“Shkolla është e kornizuar, jashtëzakonisht mirë me strukturat që parandalimi është i fuqishëm. Se sa funksionale janë, se sa drejtuesit e shkollave apo të zyrave vendore dhe ato rajonale i japin hapësira të autonomisë profesionale për të gjithë format e përgjegjësive që merr një fëmijë, si në rastin për të edukuar parandalimin, si në rastin kur është viktimë, si në rastin kur është vetë bullizuesi. Neve këtu kemi shumë për të bërë.”
Studimi rekomandon rimodelimin e orës së punës së mësuesit vetëm mbi fëmijën, si dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes shkollës, familjes dhe institucioneve për të garantuar një edukim të shëndetshëm dhe më të përgjegjshëm për nxënësit tanë.
/rtsh.al/