E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet lokal i përshtatur për lojëra fati në Tiranë, sekuestrohen 4 makineta dhe tavolinë pokeri – arrestohet administratori

Policia e Tiranës ka zbuluar dhe goditur një tjetër rast të përshtatjes së një lokali për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara, organizoi punën dhe si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, administrator i lokalit ku u konstatuan pajisjet e paligjshme. 

Në rrugën “Kajo Karafili” në lokalin në administrim të 38-vjeçarit, u gjetën 4 makineta që përdoreshin për lojëra fati, tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e lojërave të fatit të organizuara në kundërshtim me ligjin. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›