E Diel, 1 Nëntor 2026

Studioja daneze BIG fituese e projektit “Tirana Fountain Plaza”


TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Studioja daneze e arkitekturës Bjarke Ingels Group (BIG) u shpall fituese për projektin “Tirana Fountain Plaza”, në konkursin ndërkombëtar ku u prezantuan vizionet arkitektonike për Tiranën 2030 nga pesë studio ndërkombëtare.

Juria vlerësoi projektin e paraqitur si ambicioz dhe shumë të veçantë, pasi ofron një strategji jo vetëm për programin e kërkuar, por në veçanti për marrëdhëniet ndërmjet arkitekturës, peizazhit dhe vetë qytetit.

Sipas jurisë, projekti fitues e shndërron vendin në një peizazh më të gjerë qytetar dhe urban duke krijuar një identitet të vetëm.

Projekti i studios daneze u vlerësua po ashtu si një bazë shumë e fortë për zhvillim të mëtejshëm, ndërkohë që juria rekomandoi që ndërtuesit të punojnë me qeverinë dhe me qytetin për të mirëmbajtur parkun.

Sipas jurisë projekti i studios BIG paraqet një koncept të fortë ndërmjet kontekstit urban dhe natyrës me pozicionimin e projektit si një portë hyrëse në qytet.

Po ashtu vlerësohet se vëllimi i ndërtesës më lart sjell ndriçim natyral, ndërkohë që peizazhi rreth e rrotull lejon natyrën. Fasada prej reje dhe integrimi me parkun “Rinia” duke e kthyer atë në një destinacion qytetar është një tjetër pikë e fortë e këtij projekti.

Në konkursin ndërkombëtar për “Tirana Fountain Plaza” përveç BIG nga Danimarka konkurruan edhe studiot arkitekturore “Barozzi Veiga”, Spanjë; “Cobe”, Danimarkë; l’AUC – Francë; JDSA – Julien De Smedt Architects, Francë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›