Subvencionimi i qirasë për familjet e pastreha, në Korçë rritet numri i përfituesve në vitin 2025

Bashkia Korçë ka vijuar të zbatojë programin social “Subvencionimi i qirasë”, një nga masat më të rëndësishme mbështetëse për familjet e pastreha dhe ato në kushte të vështira ekonomike. Në krahasim me vitet e mëparshme, këtë vit është shënuar një rritje e lehtë e numrit të përfituesve, si rezultat i kërkesave më të shumta.
Mirela Balli, drejtoreshë e Drejtorisë së Strehimit Social dhe Menaxhimit të Banesave Sociale në Bashkinë e Korçës, thotë se aplikimet për vitin 2026 janë mbyllur dhe janë duke u shqyrtuar.
“Gjatë gjithë vitit janë mbështetur rreth 32 familje. Kryesisht bëhet fjalë për familje që marrin ndihmë ekonomike, pra rezultojnë pa të ardhura. Lidhur me aplikimet, ligji përcakton një afat sipas të cilit të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen brenda muajit nëntor. Në muajin dhjetor bëhen vlerësimet. Aplikimet bëhen në e-Albania dhe vlerësimi kryhet në sistemin online të strehimit,” tha ajo.
Balli shton se kontrata e qirasë është dokumenti kryesor dhe i domosdoshëm për të përfituar nga ky program.
“Deri tani figurojnë rreth 35 aplikime; jemi duke bërë shqyrtimin dhe subvencionimi bëhet me vendim të Këshillit Bashkiak, i bazuar tek kontrata e qirasë, e cila është një nga dokumentet kryesore,” shtoi Balli.
Sa i takon vitit 2026, financimi do të jetë në masën 50% nga fondet e bashkisë dhe 50% nga buxheti i shtetit, me synimin për të mbuluar më shumë familje që përballen me vështirësi ekonomike dhe nuk arrijnë të sigurojnë një banesë me të ardhurat e tyre.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/