E Diel, 1 Nëntor 2026

Sukses kuqezi edhe pa gola/ Anis Mehmeti, Luis Hasa dhe Mirlind Daku ishin protagonistë

Nuk mund të shënojnë gjithmonë gola.

Gjithsesi, futbollistët shqiptarë ashtu si edhe të tjerët dallohen edhe në mënyra të tjera.

Anis Mehmeti ishte I rëndësishëm si zëvendësues për ekipin e tij, Ipsuiç Taun, në kategorinë e dytë angleze, dhe doli nga fusha fitues.

Ylli kuqezi u aktivizua nga stoli pasi Birmingami ishte në epërsi 1-0, dhe ishte I pranishëm në të dy golat që përmbysën rezultatin.

Falë kësaj fitoreje, Ipsuiç mban vendin e dytë në Championship me 72 pikë, po aq sa Midëllsbrou dhe Miluolli, por me dy ndeshje më pak të luajtura.

Vendi I dytë të ngjit direkt në Premier Ligë.

Luis Hasa ndërkaq vazhdon të lerë gjurmët e tij në Serinë B italiane.

Mesfushori ofensiv, që së fundmi zgjodhi të luante për Shqipërinë dhe jo të vazhdonte me Italinë, shërbeu asist për golin e tretë në fitoren që ekipi I tij, Karrareze, arriti në shtëpi ndaj Specias.

Hasa ka 5 rrjeta dhe 4 asistë në 26 ndeshje dhe Karrareze është në vendin e 9-të, duke pasur ende shpresë për plej ofin për në Serinë A.

Së fundmi, Mirlind Daku, u kthye në fushë në Rusi pas 4 muajsh mungese për shkak dëmtimi.

Sulmuesi I kombëtares hyri si zëvendësues në fitoren 1-0 që Rubin arriti në fushën e Soçit në Premier Ligën ruse.

Ai luajti 21 minuta pa llogaritur shtesat dhe shpresohet të jetë plotësisht I riaftësuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›