Sula: Siguria në ndërtime kërkon qasje parandaluese dhe bashkëpunim institucional

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula deklaroi ditën e sotme se “reforma e inspektimeve teknike duhet të orientohet drejt parandalimit të riskut, ndërsa siguria në ndërtime duhet të mbetet një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, profesionistëve, akademisë dhe biznesit”.
Në tryezën shumëpalëshe me temë “Siguria në Ndërtime dhe Reforma e Inspektimit Teknik në Shqipëri”, Sula theksoi se siguria në ndërtime nuk mund të garantohet nga një hallkë e vetme e zinxhirit institucional, por kërkon bashkëpunim të ngushtë, standarde të përbashkëta dhe përgjegjësi të qarta për të gjithë aktorët e përfshirë.
Sula vuri në dukje se sfidat e reja, si tërmetet, zjarret, përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe efektet e ndryshimeve klimatike, imponojnë qasje të reja në projektim, ndërtim dhe inspektim.
“Sot nuk mblidhemi thjesht për të diskutuar një problem teknik. Mblidhemi për të folur për jetën e njerëzve”, tha Sula, duke nënvizuar se qytetarët jetojnë dhe punojnë çdo ditë në ndërtesa, siguria e të cilave duhet të garantohet gjatë gjithë ciklit të tyre të përdorimit.
Sipas Sulës, kolaudimi përbën vetëm një etapë të rëndësishme të procesit, por nuk mund të konsiderohet fundi i përgjegjësisë për sigurinë e një objekti.
Duke u ndalur te reforma e inspektimeve, Sula tha se ajo përfaqëson një ndryshim të thellë të filozofisë së kontrollit, duke synuar kalimin nga inspektimet reaguese, tek ato parandaluese; nga procedurat e fragmentuara te një sistem i integruar; nga kontrollet e përgjithshme, te mbikëqyrja e bazuar në analizën e riskut.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë teknike, përmes zhvillimit të profileve të specializuara si inspektorët e sigurisë së ndërtesave, inspektorët e mbrojtjes nga zjarri dhe ekspertët e eficiencës së energjisë.
Sula vlerësoi rolin e universiteteve si partnerë të rëndësishëm në hartimin e standardeve, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e metodologjive moderne të kontrollit teknik, ndërsa kërkoi që biznesi të shihet si partner në garantimin e sigurisë dhe jo vetëm si subjekt kontrolli.
Një vëmendje të veçantë, Inspektori i Përgjithshëm i kushtoi përdorimit të teknologjisë dhe të dhënave në procesin e inspektimit. Sipas tij, sistemi “e-Inspektimi” duhet të shërbejë si instrument për menaxhimin e riskut, planifikimin e kontrolleve, koordinimin institucional dhe rritjen e transparencës.
Në përfundim, Inspektori i Përgjithshëm theksoi se përafrimi me eurokodet dhe standardet evropiane të sigurisë është një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
“Siguria në ndërtime nuk është luks. Është detyrim ndaj qytetarëve. E ardhmja e inspektimit është inspektim më i zgjuar, më profesional, më transparent dhe më i orientuar drejt parandalimit”, u shpreh Sula.
Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula në tryezën shumëpalëshe me temë “Siguria në Ndërtime dhe... 1 nga 9/e.i/r.e/a.f/