E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmet ruse në Ukrainë vrasin 14 perona, pas armëpushimit për Pashkët Ortodokse

Një valë sulmesh ruse ka vrarë të paktën 14 persona në Ukrainë, njoftuan autoritetet lokale të enjten (16 prill).

Moska ka lëshuar qindra dronë ndaj Ukrainës pothuajse çdo natë që nga fillimi i luftës katërvjeçare, ndërsa Kievi kryen rregullisht sulme brenda Rusisë në shenjë hakmarrjeje.

Rishfaqja e sulmeve vjen pas përfundimit të një armëpushimi 32-orësh për Pashkët Ortodokse, i cili u shoqërua me akuza të ndërsjella për shkelje.

Sipas autoriteteve ukrainase, shtatë persona u vranë në sulmet me raketa dhe dronë në qytetin portual të Odesës. Ndërkohë, në kryeqytetin Kiev humbën jetën të paktën katër persona, mes tyre edhe një djalë 12-vjeçar, bëri të ditur kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Shpërthimet në Kiev shkaktuan dëme të shumta materiale, duke përfshirë ndërtesa dhe automjete të djegura, dritare të thyera dhe fasada të dëmtuara, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave.

Ekipet e shpëtimit nxorën një fëmijë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në lagjen Podilskyi, ku një dron goditi një pallat 18-katësh.

Tre persona të tjerë u vranë në rajonin qendror të Dnipropetrovskit, ndërsa sulmi në Kiev la të paktën 45 të plagosur, përfshirë edhe personel mjekësor.

Në qytetin verilindor të Kharkivit, një sulm me dron plagosi një grua 77-vjeçare dhe një burrë 66-vjeçar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›