E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje masive të energjisë elektrike në Ukrainë dhe Moldavi

Shumë qytetarë ukrainas u përballën të shtunën me ndërprerje masive të furnizimit me energji elektrike, të shkaktuara nga një keqfunksionim teknik që çoi në rënien e linjave mes Ukrainës, Moldavisë dhe Rumanisë.

Keqfunksionimi shkaktoi një mbyllje të linjës prej 400 kilovolt me rrjetet e Rumanisë dhe Moldavisë, si dhe të linjës prej 750 kilovoltësh mes Ukrainës perëndimore dhe asaj qendrore, bëri me dije ministri ukrainas i energjisë Denis Shmigal në një postim në platformën Telegram.

Problemet në rrjetin energjetik të Ukrainës gjithashtu çuan në një mbyllje emergjente të sistemit energjetik të Moldavisë, siç u deklarua nga ministri moldav i energjisë.

Ndërprerjet dhe problemet e fundit vijnë pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje madhore të ngrohjes, energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, ndërsa vendi në luftë me forcat e Moskës po kalon një dimër veçanërisht të ftohtë.

Ndërkohë, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike u mbyll edhe metroja e Kievit, që është një arterie jetësore e transportit të kryeqytetit ukrainas dhe ndodh shumë rrallë që të mbyllet. Përveçse përdoret çdo ditë nga rreth 800 mijë pasagjerë, banorët e Kievit përdorin 52 stacionet e metrosë si vendstrehime kundër bombardimeve ruse.

Përgjatë pushtimit të Ukrainës që nisi në shkurt të katër viteve më parë, Rusia ka goditur vazhdimisht infrastrukturën energjetike të vendit, por Kievi thotë se dimri i këtij viti është më i vështiri, pasi sulmet kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohjen për miliona ukrainas, në një kohë kur temperaturat kanë shkuar nën zero.

Një ditë më parë, Kremlini konfirmoi se presidenti rus Vladimir Putin ishte dakordësuar me kërkesën e homologut amerikan Donald Trump që të mos sulmonte Kievin për një javë, deri të dielën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›