Heroi i heshtur i dimrit – Pastrimi i rrugëve, një punë e vështirë për sigurinë e të gjithëve

Në orët e para të mëngjesit dhe shpeshherë edhe gjatë natës, punonjësit e pastrimit dhe mirëmbajtjes dimërore janë në terren për të siguruar rrugë të kalueshme dhe trotuare të pastra.
Ata kujdesen gjithashtu për pastrimin e territorit, nga mbetjet e ndryshme që depozitohen pa kriter.
I riu Andi Dhamo thotë se puna që bën ka vështirësi sidomos në ditët kur përballen me të ftohtin ekstrem, reshje të dendura të borës apo dhe akullit, duke kryer një nga punët më të vështira, por edhe më të domosdoshme për jetën e përditshme të qytetit.
Punonjës i sektorit të mirëmbajtjes, Andi Dhamo u shpreh për RTSH se, “Vështirësitë më të mëdha gjatë kryerjes së punës sonë janë në sezonin e dimrit, pasi është e pranishme edhe bora, shiu dhe hasemi me problematika të mëdha që kanë të bëjnë me hedhjen e mbeturinave pa kriter. Duhet të jemi sa më të kujdesshëm dhe të mbajmë ambientin e pastër. Përveçse në rrugë, ne futemi edhe në kanal për ta pastruar nga shkurret dhe mbeturinat.”
Vështirësitë e punës së tyre janë të shumta, megjithatë këta punonjës vazhdojnë punën me përkushtim, duke e parë detyrën e tyre si shërbim ndaj komunitetit. Ata janë heronjtë e heshtur të dimrit që me shumë vullnet mbajnë qytetin në lëvizje edhe në ditët më të vështira.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/