E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi kibernetik, Bashkia e Tiranës: Të dhënat janë të paprekura

TIRANË, 24 qeshor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që Bashkia ka regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.

Përmes një deklarate për shtyp, Bashkia e Tiranës informoi se sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.

“Edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve”, bën të ditur Bashkia.

Të gjitha të dhënat, theksohet në deklaratë, janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.

“Prej 80 serverëve gjithsej, 10 prej tyre janë nën vëzhgim. Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malware-i përpara se të aktivizohen”, citohet deklarata.

Në këtë fazë, bën të ditur Bashkia, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë./a.gj/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›