FOKUS – Armëpushimi Izrael-Iran mbahet në fuqi pasi Trump kritikon shkeljet

TEL AVIV, 24 qershor /ATSH-DPA/- Izraeli hoqi shumicën e kufizimeve të emergjencës për popullsinë civile sot në mbrëmje, ndërsa armëpushimi me Iranin dukej se po respektohej, disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump kritikoi të dyja palët për luftimet e vazhdueshme.
Ushtria izraelite tha se vendimi, i marrë pas një vlerësimi të Kabinetit të Sigurisë pas 12 ditësh luftimesh, lejon shkollat të rifillojnë mësimin dhe lejon tubimet pa kufizime në pjesën më të madhe të vendit.
Disa kufizime të Komandës së Frontit të Brendshëm mbeten në zonat pranë Rripit të Gazës për shkak të operacioneve të vazhdueshme ushtarake kundër Hamasit, duke përfshirë kufizimet në madhësinë e turmave.
Autoriteti i Aeroportit të Izraelit njoftoi gjithashtu një kthim të operacioneve të plota, duke deklaruar se nuk kishte më kufizime në fluturime.
Pas sulmeve ajrore izraelite në vendet bërthamore dhe ushtarake iraniane që filluan më 13 qershor, kanë funksionuar vetëm fluturime të kufizuara emergjente, pasi Irani qëlloi me breshëri raketash dhe dronësh në shenjë hakmarrjeje.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, theksoi se fushata kundër rivalit të betuar, Iranit, tani kishte mbaruar.
“Kemi përfunduar një fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar”, tha sot Zamir në një deklaratë, pa dhënë detaje mbi planet e ardhshme.
Ai shtoi se ushtria izraelite tani po hynte në një “fazë të re” të përqendruar në Gazë, ku Izraeli ka luftuar grupin militant palestinez “Hamas”, për 20 muaj.
“Tani fokusi kthehet sërish në Gazë – për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të shkatërruar regjimin e Hamasit”, tha ai.
Zamir gjithashtu pretendon se fushata ajrore e Izraelit kishte dëmtuar ndjeshëm aftësitë ushtarake të Iranit.
“Ne e kemi kthyer projektin bërthamor të Iranit vite prapa, dhe e njëjta gjë vlen edhe për programin e tij të raketave”, tha ai.
Këto deklarata nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Irani tha se programi i tij bërthamor ishte paqësor. Megjithatë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka raportuar se Irani zotëron mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar në pastërti 60%.
Ekspertët thonë se shkalla e plotë e dëmit në infrastrukturën bërthamore të Iranit nga sulmet e përbashkëta izraelite dhe amerikane mbetet e paqartë.
SHBA-ja sulmoi impiantet bërthamore “Fordow” dhe “Natanz” gjatë fundjavës.
Në Teheran, banorët dolën sot në rrugë për një tubim masiv për të shprehur vlerësimin e tyre për forcat e armatosura të Iranit – pas shpalljes së armëpushimit me Izraelin, raportoi media iraniane.
Ata brohoritën “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit” dhe slogane që thoshin se Irani nuk duhej t’i nënshtrohej kurrë presionit ose poshtërimit.
Flamuri kombëtar u valëvit, së bashku me banderola që mbështesnin udhëheqjen politike të vendit.
Analistët besojnë se armëpushimi i shpallur sot do t’i lejonte udhëheqjes iraniane të mbante pushtetin, ndërsa një përshkallëzim i madh i luftës mund të kishte kërcënuar elitën politike, përfshirë Udhëheqësin Suprem 86-vjeçar, Ayatollah Ali Khamenei.
Trump i zemëruar ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme
Trump njoftoi armëpushimin gjatë natës dhe si Irani ashtu edhe Izraeli më vonë e konfirmuan atë.
Megjithatë, pak më vonë, të dy palët shkëmbyen akuza për sulme të mëtejshme.
Kjo bëri që Trump të shpërthente nga zemërimi. Pak kohë më vonë, ai postoi në platformën e tij Truth Social: “IZRAELI nuk do të sulmojë Iranin. Të gjithë aeroplanët do të kthehen dhe do të nisen për në shtëpi. Askush nuk do të lëndohet, Armëpushimi është në fuqi!”
Më vonë, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se ai kishte zhvilluar një telefonatë me Trump dhe se i kishte thënë presidentit amerikan se Izraeli do të përmbahej nga sulmet e mëtejshme ndaj Iranit.
Zyra e Netanyahut raportoi se katër orë para se të hynte në fuqi armëpushimi, forcat izraelite kishin vrarë qindra punonjës të sigurisë iraniane dhe anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IGRC).
Irani nga ana tjetër, kishte nisur një breshëri raketash para afatit të armëpushimit. //a.i/