Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare, AKSK: Nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bëri të ditur se më datë 25 mars 2026 është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.
Sipas AKSK-së, bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike”, thuhet në deklaratën e AKSK-së.
Sipas AKSK-së, grupi ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm; identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC); analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike; izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.
Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, AKSK informoi se disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit.
“Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.
Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar”, theksohet më tej.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cenon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
AKSK thekson se do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.
/j.p/r.e/