Vijon lirimi i hapësirave publike të zëna nga automjete dhe motomjete të vjetra

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara vijon punën për lirimin dhe pastrimin e hapësirave publike të zëna nga automjete dhe motomjete të vjetra.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna e kësaj agjencie në Mullet të Tiranës, ku këto mjete, theksoi kreu i qeverisë, “i nënshtrohen procesit të çmontimit dhe riciklimit sipas standardeve përkatëse, duke lehtësuar kesisoj mjedisin nga “varrezat” e ndryshkut”.
Kjo ndërhyrje synon t’i japë fund fenomenit të ashtuquajtur “varrezat e makinave”, të krijuara ndër dekada nga grumbullimi i mjeteve të sekuestruara, që ishin shndërruar në burime ndotjeje dhe zaptimi të hapësirave publike nëpër bashkitë e vendit.
Në këtë kuadër, autoritetet synojnë transformimin e këtyre zonave në hapësira të gjelbra dhe projekte në funksion të komunitetit, duke rikthyer në përdorim publik sipërfaqe të konsiderueshme të zëna më parë nga mbetje metalike dhe inerte.
Procesi i nisur nga Agjencia e Aseteve të Sekuestruara pritet të përmbyllë një problematikë të trashëguar prej më shumë se tri dekadash, duke kontribuar njëkohësisht në përmirësimin e cilësisë së jetës urbane dhe mbrojtjen e mjedisit.
/gj.m/a.f/r.e/