E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulmi në GPS-in e avionit të Von der Leyen, eksperti: Sa të rrezikuar jemi!

Dy ditë më parë avioni i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është detyruar të bëjë një ulje të vështirë pas një sulmi në sistemin GPS.

Eksperti i Teknologjisë së Informacionit, Tomi Kallanxhi, për emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, shpjegon se teknologjia e përdorur njihet si “GPS Jam”.

“Këtë lloj teknike e përdorin avionët që bëjnë fluturime pirate për të mos u kapur nga sistemet satelitore të monitorimit. Po të shohësh hartën, e gjithë Evropa është e gjelbër. Çdo GPS që qarkullon në këtë hapësirë është në mënyrën e duhur. Siç shihet edhe Shqipëria ndodhet në zonën e gjelbër. Me të kaluar në lindje, në Turqi, Rumani dhe Bullgari ngjyra ndryshon dhe kur bëhet e kuqe do të thotë që GPS-et e mjeteve që po lëvizin në këto zona janë manipuluar totalisht,” u shpreh eksperti.

Sipas raportimeve, avioni udhëtonte të dielën pasdite drejt Plovdivit në Bullgari, ku u detyrua të ulej vetëm përmes hartave të printuara.

“Bullgaria është një vend problematik në deklarimin e GPS-ëve dhe pajisjeve që komunikojnë me të gjitha sistemet e aviacionit. Duke ditur që piloti bën vetëm ngjitjen dhe uljen, pjesa tjetër është sistem i automatizuar. Dhe në momentin që ky sistem varet nga GPS-i atëherë lihet në dorë të tij. Kur ky sistem manipulohet, avioni ndryshon kurs dhe bën ulje manuale. E njëjta gjë ndodhi me avionin e Von de Leyen-it. Ai u manipulua, por stafi ka qenë ushtarak dhe e ka ulur atë manualisht në mënyrë të suksesshme,” tha Kallanxhi.

View this post on Instagram

A post shared by Radio Tirana (@radiotirana_)

Ky sulm ndaj sinjalit të GPS-it është cilësuar nga disa burime si një ndërhyrje e dyshuar ruse.

“Në përgjithësi, në Rusi gjërat janë më ‘underground’ (të fshehtë) dhe nuk deklarohen, ndaj autoritetet e BE menduan se sulmi vinte nga Rusia. Këto sulme bëhen nga grupime që merren me sulme kibernetike ose në këtë rast me frekuencat që ndikojnë GPS-in,” tha eksperti i informatikës. 

Më tej eksperti ngre alarmin. “Me automatizimin e teknologjisë që do të bëhet më e pranishme në të ardhmen, do të kemi edhe më shumë probleme të tilla. Duke u automatizuar transporti publik apo dhe makinat personale, jemi më të rrezikuar nga sulme kibernetike që mund të shkaktojnë dhe aksidente në të ardhmen.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›