E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tërmeti tragjik në Afganistan – Afro 1.400 viktima deri tani, operacionet e kërkimit në zonat e thella malore

Numri i viktimave është rritur vazhdimisht që kur tërmeti me magnitudë 6,0 goditi në orën e vona të së dielës Afganistanin Lindor, duke shkaktuar edhe dëme të shumta në zona të largëta në provincat malore pranë kufirit me Pakistanin.

Qeveria talebane tha të martën se mbi 1400 persona u vranë dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën vetëm në provincën e goditur rëndë të Kunarit. Mbi 12 personash të tjerë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në provincën fqinje Nangarhar.

“Tërmeti mund të ndikojë në jetën e qindra mijëra njerëzve,” tha koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara në Afganistan.

Ekipet e shpëtimit u fokusuan tek zonat e izoluara të provincës Kunar duke kërkuar për të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të shembura.

“Operacionet vazhduan gjatë gjithë natës,” tha për AFP kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në provincën Kunar, duke shtuar se ka ende njerëz të plagosur në fshatrat e largëta që kishin nevojë për të marrë mjekim në spitale.

“Disa nga zonat e thella më të goditura mbeten të paarritshme për shkak të rrugëve të bllokuara,” tha agjencia e OKB-së për migracionin për AFP.

Sekretari Antonio Guterres tha se organizata po punonte me autoritetet për të vlerësuar shpejt nevojat për të ofruar ndihmë emergjente dhe për të qenë gati për të mobilizuar mbështetje shtesë. Ai njoftoi alokimin e një shume fillestare prej 5 milionë dollarësh.

Edhe Bashkimi Evropian njoftoi se po mobilizon ndihma për Afganistanin.

Pas dekadash konflikti, Afganistani është një nga vendet më të varfra në botë, duke u përballur me një krizë të zgjatur humanitare dhe fluksin e miliona afganëve të detyruar të kthehen në vend nga shtetet fqinje Pakistani dhe Irani.

Që kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021, ndihma e huaj për vendin është reduktuar. Shtetet e Bashkuara ishin donatori më i madh deri në fillim të vitit kur të gjitha fondet, përveç një pjese të vogël, u anuluan pasi Presidenti Donald Trump mori detyrën.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›