Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europolit - ATSH -
PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/ Ministri i Punëve të brendshme Xhelal Sveçla, në margjina të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë në Budvë të Malit të Zi, ka takuar sot Jürgen Ebner, drejtor i Europolit.
Me këtë rast, ministri Sveçla tha se për Europolin, Republika e Kosovës mbetet partner serioz, me rezultate të vazhdueshme në kuadër të bashkëpunimit, i cili mbështetet në marrëveshjet e nënshkruara deri më tani.
“Rikonfirmuam sukseset e operacioneve tona të përbashkëta në luftimin e grupeve kriminale ndërkombëtare, që cenojnë sigurinë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit e më gjerë”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
“Do të vijojmë ta thellojmë bashkëpunimin me Europolin, duke synuar rezultate të reja të përbashkëta në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë”, ka përfunduar Sveçla. /KosovaPress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
