E Diel, 1 Nëntor 2026

Syla: Pa garanci veteranët e UÇK-së të mos shkojnë në Shkup

PRISHTINË, 12 dhjetor /ATSH/ – Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marr leje nga Maqedonia e Veriut për protestën paqësore që do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Shkup në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Por, nga OVL-UÇK bëjnë thirrje që veteranët e luftës të mos marrin pjesë në këtë protestë pasi ekziston rreziku që ata të ndalohen.

Ndërsa, krijimi i shtabit të krizës nga shteti maqedonas konsiderohet i panevojshëm dhe  i njëanshëm.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla në një intervistë për KosovaPress thotë se nga shteti maqedonas nuk kanë marr asnjë garanci se nuk do të arrestohen bashkëluftëtarët e tyre që do të shkojnë në këtë vend fqinj për të marr pjesë në protestë.

Syla ka siguruar që edhe protesta në Shkup do të jetë madhështore pasi kanë marrë konfirmime për pjesëmarrje të madhe qoftë nga diaspora, por edhe nga Shqipëria e Lugina e Preshevës.

Ai ka këshilluar bashkëluftëtarët e tij që në vend që ata të shkojnë në protestë t’i dërgojnë familjarët e tyre.

“Luftëtarët e UÇK-së nuk është mirë të shkojnë në këtë protestë. Protesta do të jetë madhështore dhe e dimë që kanë dëshirë me marrë pjesë. Kemi konfirmim shumë të madh prej diasporës, prej mërgatës që do të jenë pjesë e kësaj proteste… Nuk kemi marr garanci, neve tërthorazi shumë bashkëluftëtarëve tanë iu kemi thënë që mos me shku atje meqenëse nuk ka garanci sepse kemi parasysh se Maqedonia e Veriut arrestoi disa luftëtarët tanë edhe më herët atje…”, thotë Syla.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë ka siguruar lejen nga autoritetet maqedonase për të mbajtur protestën në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Megjithatë, Syla e quan të panevojshme vendimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për ngritjen e shtabit të krizës.

Duke theksuar se protesta në Shkup do të jetë paqësore, Syla nënvizon se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nuk duhet të provojë ndonjë incident.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla paralajmëron protesta të tjera gjatë vitit të ardhshëm.

Më 13 dhjetor nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të mbahet protesta e pestë me radhë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protesta e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›