Sylvinho reagon pas rinovimit me Kombëtaren: Objektiv, kualifikimi në Botëror

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, ka rinovuar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në korrik të vitit 2026, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit që ka sjellë rezultate historike për kuqezinjtë.
Pas firmosjes së marrëveshjes së re, tekniku 51-vjeçar ka reaguar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, ku thekson se rinovimi është një hap i natyrshëm për të çuar përpara një projekt të ndërtuar mbi punë, profesionalizëm dhe unitet.
“Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin Kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet”, shprehet Sylvinho.
Braziliani ka vënë në dukje arritjet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë drejtimit të tij, duke theksuar kualifikimin historik për herë të dytë në finalet e Kampionatit Evropian, si dhe sigurimin për herë të parë të një vendi në fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
“Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi”, ka deklaruar trajneri kuqezi.
Duke folur për të ardhmen, Sylvinho nënvizon se sfidat që vijnë do të kërkojnë edhe më shumë përkushtim dhe angazhim nga të gjithë faktorët e përfshirë. “Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri”, përfundon ai.
Në muajin mars, Kombëtarja shqiptare do të përballet me një moment historik, teksa më 26 mars do të luajë gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen në finalen vendimtare me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
/gj.m/a.f/