TALIN – Estonia mbështet politikën e re të sigurisë së Gjermanisë në Evropë

TALIN, 11 tetor /ATSH – DPA/ – Ministri i Jashtëm i estonez, Margus Tsahkna, ka vlerësuar sot qasjen e re të vendosur të qeverisë gjermane në fushën e sigurisë dhe ndikimin pozitiv që kjo ka pasur tek aleatët e saj.
“Po shohim se tani qeveria e re gjermane ka ndryshuar vërtet dinamiken në Europë”, tha Tsahkna, gjatë “Samitit Digjital të Tallinit”.
Sipas tij, për shumë kohë shumë vende janë fshehur pas krahëve të Gjermanisë, por me rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe investimeve në mbrojtje nga Berlini, kjo nuk është më e justifikueshme.
Tsahkna vlerësoi gjithashtu udhëheqjen e kancelarit Friedrich Merz dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Ukrainën.
“Paketat e ndihmës, investimet dhe retorika politike janë shumë të forta,” theksoi ai.
Ministri estonez përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Gjermanisë për të mobilizuar asetet ruse të ngrira në BE dhe vuri në dukje se vullneti politik brenda bllokut po ndryshon.
“Estonia e ka udhëhequr dhe shtyrë këtë nismë për më shumë se tre vjet, dhe tani po ecim përpara”, tha ai, duke iu referuar nismës së fundit të kancelarit Merz.
Kancelari gjerman ka propozuar përdorimin e aseteve të Bankës Qendrore Ruse për të siguruar 140 miliardë euro kredi për armatosjen e Ukrainës, një plan që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Belgjikë, ku ruhen shumica e këtyre fondeve.
Në maj 2024, Estonia u bë vendi i parë në Europë që miratoi një ligj që lejon përdorimin e aseteve ruse të ngrira për pagesat e dëmshpërblimeve ndaj Ukrainës. /Ad.Ab./