TEHERAN – Irani: Lufta mund të përhapet përtej rajonit pas kërcënimeve të Trump

TEHERAN, 20 maj /ATSH-DPA/- Garda Revolucionare e Iranit kërcënoi sot me zgjerim të konfliktit pas ultimatumeve të reja të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) paralajmëroi se nëse Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të nisnin sulme të reja, “lufta këtë herë do të përhapet përtej rajonit”.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi sinjalizoi dje gatishmërinë për përshkallëzim të mëtejshëm.
“Irani është i bashkuar dhe i përgatitur me vendosmëri për t’u përballur me çdo agresion ushtarak”, shkroi ai në X.
“Për ne, dorëzimi nuk ka kuptim. Ose do të jemi fitimtarë ose do të bëhemi martirë”, shtoi ai.
Të hënën, Trump tha se kishte planifikuar sulme ushtarake kundër Iranit për të martën, por i anuloi ato sepse po zhvillohen “negociata serioze” për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti Trump pretendoi dje se udhëheqësit e Iranit po “luteshin” të bënin një marrëveshje dhe se SHBA-ja do të nisnin sulme në ditët në vijim nëse një e tillë nuk arrihej.
“Dua të them, po them dy ose tre ditë, ndoshta të premten, të shtunën, të dielën, diçka, ndoshta në fillim të javës tjetër, një periudhë e kufizuar kohore, pasi nuk mund t’i lejojmë ata të kenë një armë të re bërthamore”, tha ai. //a.i/