E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i studentëve, Lamallari: Nga nëntë mostra të analizuara, vetëm një rezultoi me prani bakteriale

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi sot se situata pas helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë nuk është problematike, ndërsa analizat e kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë evidentuar vetëm një mostër jashtë normave.

I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë rast, Lamallari tha se “ka patur një komunikim publik edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i cili është instanca përgjegjëse sipas ligjit për verifikimet përkatëse”.

“Nga nëntë mostra që ata kanë marrë kanë analizuar, tetë prej tyre kanë rezultuar brenda normave dhe njëra kishte rezultuar me prani të stafilokokut dhe Escherichia coli. Është lokalizuar ky mjedis është dezinfektuar kështu që rrjedhimisht ka vijuar normalisht ofrimi i shërbimit të ushqimit për studentët”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari u shpreh se “tani që flasim nuk kemi raste problematike”.

Pak ditë më parë 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë” u dërguan për ndihmë mjekësore në repartin infektiv të QSUT-së,

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›