TEKSAS – 109 viktima dhe 161 të zhdukur pas përmbytjeve

UASHIGNTON, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Përmbytjet e papritura në kodrat e Teksasit kanë shkaktuar deri tani 109 të vdekur dhe 161 të zhdukur vetëm në zonën e shkatërruar të qarkut Kerr, tha guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott.
Abbott u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se ekipet e shpëtimit do të vazhdojnë “derisa të gjendet çdo person i zhdukur”.
Numrat e të zhdukurve janë shumë më të lartë se sa u raportua fillimisht, por Abbott tha se kjo ndodh sepse njerëzit kanë telefonuar për të raportuar persona të zhdukur gjatë ditëve të fundit.
Gjithashtu, ekipet e kërkimit nuk kanë një pasqyrë të saktë se kush kishte qenë në zonën e njohur të pushimeve që nga mëngjesi i së premtes, kur përmbytjet goditën papritur gjatë fundjavës së gjatë të festave, duke i zënë shumë në befasi.
Shumë familje nuk po qëndronin në hotelet ku ishin regjistruar, por në kampingun përgjatë brigjeve të lumit.
Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut të raportojë çdo person të mundshëm të zhdukur.
”Presidenti amerikan, Donald Trump, së bashku me Zonjën e Parë, Melania do të vizitojnë zonën e prekur nga përmbytjet në Teksas të premten”, tha Abbott, një republikan i linjës së ashpër dhe aleat i Trump./ a.jor.