E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli zbulon planet për vendosjen e mijëra palestinezëve në një zonë të mbyllur kufitare

TEL AVIV, 9 korrik /ATSH/ – Ministri izraelit i Mbrojtjes ka zbuluar planet për të vendosur qindra mijëra palestinezë në një zonë të mbyllur të Rripit të Gazës përgjatë kufirit me Egjiptin, sipas AP.

Duket se ky është versioni më i fundit i planeve të qeverisë izraelite për të ruajtur kontrollin e qëndrueshëm mbi territorin dhe për të zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë së tij prej rreth dy milionë banorësh.

Kritikët thonë se kjo do të përbënte zhvendosje me forcë në shkelje të ligjit ndërkombëtar, sepse ofensiva dhe bllokada e Izraelit e kanë bërë Gazën kryesisht të pabanueshme.

Zyrtarët izraelitë thonë se qëllimi është të ndahet popullsia civile nga Hamasi, i cili ende kontrollon pjesë të Gazës dhe mban dhjetëra pengje të rrëmbyera në sulmin e 7 tetorit që shkaktoi luftën 21 muaj më parë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka thënë se po i afrohet një armëpushimi dhe shpreson që përfundimisht t’i japë fund luftës, ka shprehur gjithashtu mbështetje për transferimin masiv të palestinezëve nga Gaza.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, përshkroi planet e fundit në një takim të mbyllur me gazetarët ushtarakë izraelitë të hënën.

Zyra e tij nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi raportet e tyre, të cilat u shfaqën në disa media izraelite.

Thuhet se Katz kishte urdhëruar ushtrinë e Izraelit të hartonte plane për të ndërtuar atë që ai e quajti një “qytet humanitar” në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, i cili është dëmtuar rëndë në luftë dhe tani është kryesisht i pabanuar.

Ushtria fillimisht do të zhvendosë 600 000 palestinezë nga një zonë ekzistuese e ashtuquajtur ”humanitare”, përgjatë bregdetit, me qëllim transferimin përfundimtar të të gjithë popullsisë në Rafah.

Katz tha se Izraeli po kërkonte një organ ndërkombëtar të paspecifikuar për të ofruar ndihmë ndërsa trupat izraelite siguronin perimetrin./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›