TEL AVIV – Forcat izraelite godasin Libanin jugor ndërsa tensionet përshkallëzohen

BEJRUT/TEL AVIV, 10 mars /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite kreu sot një seri sulmesh ajrore në të gjithë Libanin jugor, duke synuar infrastrukturën që i përkiste grupit militant “Hezbollah”.
Sulmet u përqendruan në zonat pranë qytetit të Tirit dhe pasuan paralajmërimet për evakuim publik të lëshuara për banorët në lagjet përreth.
Në një postim në X, në gjuhën arabe, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee paralajmëroi civilët që jetonin pranë ndërtesave specifike të largoheshin menjëherë nga zona.
“Paralajmërim urgjent për banorët e Tirit dhe Sidonit. IDF – Forcat Mbrojtëse të Izraelit së shpejti do të sulmojnë infrastrukturën ushtarake që i përket organizatës terroriste Hezbollah”, shkroi Adraee.
Menjëherë pas lëshimit të paralajmërimit, një sulm ajror goditi një ndërtesë në Abbassiyeh, pranë Tirit.
Më pas, u raportuan sulme të tjera në disa qytete libaneze jugore. Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se avionët luftarakë izraelitë sulmuan qytetet al-Majadel, Shaqra dhe Srifa. Sulme të tjera u raportuan gjithashtu në Luginën Bekaa në Libanin lindor.
Ushtria izraelite tha se operacionet e saj në Liban po vazhdonin dhe se paralajmërimet ishin dërguar te banorët në zona të shumta të jugut.
Sipas ushtrisë, një qendër komande e Hezbollahut në Libanin jugor u godit gjatë natës pasi dyshohet se raketat u lëshuan nga vendi drejt Izraelit.
Ndërkohë, Ministria libaneze e Shëndetësisë akuzoi dje në mbrëmje, forcat izraelite se kane sulmuar një automjet të Kryqit të Kuq libanez, në Majdal Sun.
Ajo tha se dy ndihmës mjekësorë u plagosën rëndë. Ushtria izraelite tha se nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm.
Në të njëjtën kohë, Hezbollahu mori përgjegjësinë për disa sulme ndaj pozicioneve izraelite.
Grupi tha se kishte lëshuar një seri raketash gjatë natës drejt bazave ushtarake izraelite pranë kufirit.
Hezbollahu raportoi gjithashtu një përballje me tanket izraelite në qytetin kufitar libanez Khiam, duke theksuar përleshjet e vazhdueshme përgjatë kufirit. //a.i/