E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli sinjalizon tërheqje nga Libani nëse Hezbollah çarmatoset

TEL AVIV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tregoi sot shenja për një tërheqje graduale të trupave të mbetura izraelite nga jugu i Libanit, nëse ushtria e këtij vendi ndërmerr hapa për çarmatosjen e milicisë së Hezbollahut.

“Nëse forcat e armatosura libaneze (LAF) marrin masat e nevojshme për të zbatuar çarmatosjen e Hezbollahut, Izraeli do të ndërmarrë masa reciproke, duke përfshirë një reduktim të pranisë së IDF-së në koordinim me mekanizmin e sigurisë të udhëhequr nga SHBA”, tha zyra e Netanjahut në një deklaratë.

Një armëpushim është në fuqi mes Izraelit dhe Hezbollahut që nga fundi i nëntorit, por të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje.

Izraeli ende ka trupa të vendosura në pesë poste në jug të Libanit, ndërsa ushtria izraelite vijon të kryejë sulme pothuajse çdo ditë në vend, duke thënë se po synon Hezbollahun. Në këto sulme përsëriten viktima mes njerëzve.

Qeveria libaneze ndodhet nën presion për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit, e cila përfshin edhe çarmatosjen e Hezbollahut.

Në fillim të gushtit, qeveria në Bejrut pranoi një plan amerikan që parashikon çarmatosjen e plotë të milicisë deri në fund të vitit, por ky proces pritet të jetë tepër i vështirë dhe politikisht i rrezikshëm.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka deklaruar se do të pranojë të çarmatoset vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet në Liban dhe tërheq trupat e mbetura nga jugu i vendit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›