E Hënë, 2 Nëntor 2026

KROACI – Wadephul: Putin të angazhohet në negociata të shpejta me Zelenskyn

ZAGREB, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i bëri thirrje sot presidentit rus, Vladimir Putin të angazhohet në negociata të shpejta me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa kërcënoi gjithashtu me sanksione të mëtejshme kundër Moskës.

“Nëse presidenti Putin mendon se mund të fitojë kohë, ai do të ketë bërë llogaritje të gabuara”, tha Wadephul gjatë një takimi me homologun e tij kroat, Gordan Grliç Radman, në Zagreb.

Wadephul theksoi se presioni duhet të vazhdojë të ushtrohet ndaj Rusisë, duke shtuar se Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve kundër vendit.

“Tani i takon Putinit të provojë se është vërtet i gatshëm të punojë drejt një paqeje të drejtë”, tha Wadephul.

“Bazuar në gjithçka që shohim, ka dyshime të konsiderueshme për këtë”, theksoi ai.
Ai vuri në dukje se Ukraina tashmë ka bërë një lëshim duke qenë e gatshme të negociojë pa parakushte të mëtejshme.

Ai e siguroi Ukrainën kur tha se “ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›