TEL AVIV – Netanyahu: Irani do të paguajë një çmim shumë të lartë për sulmet kundër civilëve

TEL AVIV, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Irani do të paguajë një çmim shumë të lartë për sulmet e tij të qëllimshme ndaj qytetarëve izraelitë, tha sot kryeministri Benjamin Netanyahu, ndërsa vizitoi vendin e një sulmi me raketa iraniane që shkaktoi të paktën gjashtë viktima.
“Ne do ta arrijmë qëllimin tonë dhe do t’u japim një goditje të rëndë. Ata do ta ndiejnë forcën e krahut tonë”, tha Netanyahu në Bat Yam në jug të Tel Avivit, sipas deklaratave të publikuara nga zyra e tij.
Dy fëmijë ishin midis gjashtë të vrarëve nga një raketë iraniane që goditi një bllok banimi në qytet në orët e para të së dielës.
Punonjësit e emergjencës po kërkonin në rrënoja për shtatë fëmijë që mbeten të zhdukur.
“Ne jemi këtu, sepse jemi në një luftë ekzistenciale që është e dukshme për çdo qytetar izraelit. Vetëm mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të kishte armë bërthamore që mund t’i lëshonte ndaj qytetarëve izraelitë”, tha kryeministri.
Sipas raporteve zyrtare izraelite, të paktën 13 persona janë vrarë dhe 390 të tjerë janë plagosur nga veprimet iraniane në përgjigje të sulmeve izraelite që nga orët e para të së premtes.
”Irani që atëherë ka nisur një tjetër breshëri raketash ndaj objektivave në Izrael”, sipas raportimeve të agjencisë iraniane të lajmeve Fars./ a.jor.