E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndalohet përkohësisht tregtimi i bagëtive të imta

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informoi sot se ka marrë të gjitha masat për monitorimin e shtuar dhe rritjen e kontrollit përgjatë gjithë kufirit të gjelbër të territorit shqiptar për ndalimin e importit të bagëtive të imta nga të gjitha vendet për të cilat ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka urdhëruar ndalim të hyrjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, AKU tha se “po inspekton dhe në të gjitha pikat e inspektimit kufitar (PIK) si dhe është në gatishmëri të plotë bashkëpunimi ndërinstitucional me Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Policinë Kufitare”. Po ashtu, AKU bën të ditur se në bazë të urdhrit të ministres së MBZHR ndalohet lëvizja e përkohshme si edhe tregtimi i bagëtive të imta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas AKU-së ky hap është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së murtajës që ka kapur ferma të caktuara ruminantësh të vegjël në territorin shqiptar. Në bazë të urdhrit të Ministrit të MBZHR, lëvizja e bagëtive të imta lejohet vetëm nëse destinacioni i lëvizjes është për në thertore, shoqëruar me certifikatën shëndetësore zyrtare veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar. 1 nga 5 /k.s/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›