TEL AVIV – Netanyahu akuzon Starmer për nxitje të luftës së Hamasit

LONDËR, 23 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka akuzuar homologun e tij britanik, Keir Starmer për nxitje të luftës së Hamasit – pasi Starmer iu bashkua udhëheqësve të Francës dhe Kanadasë në thirrjen për ndalimin e ofensivës ushtarake të Izraelit dhe dhënien fund të kufizimeve të ndihmës humanitare.
Këtë javë, Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Mark Carney dënuan veprimet “e shëmtuara” të qeverisë izraelite në Gazë, duke paralajmëruar se Britania e Madhe dhe aleatët do të ndërmerrnin veprime konkrete nëse Netanyahu nuk ndryshonte kurs.
Në një postim në X dje në mbrëmje, kryeministri izraelit tha se Hamasi donte të shkatërronte shtetin hebre dhe “të zhdukte popullin hebre”.
“I them presidentit Macron, kryeministrit Carney dhe kryeministrit Starmer, kur vrasësit masivë, përdhunuesit, vrasësit e foshnjave dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të drejtësisë”, tha Netanyahu.
“Me kërkesën e tyre – të mbushur me kërcënime për sanksione kundër Izraelit dhe jo Hamasit – këta tre udhëheqës në fakt po kërkojnë që Hamasi të mbetet në pushtet”, shtoi ai.
Netanyahu tha se veprimet e udhëheqësve nuk po avanconin paqen, por po e nxisnin Hamasin të vazhdonte luftën përgjithmonë.
Deklaratat e udhëheqësit izraelit vijnë pasi dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite u vranë në Uashington. //a.i/