E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOLDAVI – Sandu bën thirrje për rrezikun e ndikimit të Moskës në zgjedhje

KISHINEV, 28 shtator /ATSH-DPA/- Presidentja moldave Maia Sandu i bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve të votojnë për të mbrojtur vendin ku zgjedhjet parlamentare po mbahen të dielën mes frikës së ndërhyrjes së Kremlinit.

“Moldavia, shtëpia jonë e dashur, është në rrezik dhe ka nevojë për ndihmën e secilit prej jush. Ju mund ta shpëtoni atë sot me votën tuaj”, tha ajo.

Ajo u bëri thirrje njerëzve të mos shesin votat e tyre, duke paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e ndikimit të Moskës.

Moldavia, e cila ashtu si Ukraina fqinje është kandidate për anëtarësim në BE, ka qenë prej kohësh e ndarë midis një kursi pro-perëndimor dhe Rusisë.

“Le të mos lejojmë asnjë të shesë të ardhmen tonë”, tha Sandu, duke iu referuar forcave pro-ruse që shpresojnë të fitojnë ndikim në parlament.

Moldavia ka nisur sot zgjedhjet parlamentare, ndërsa rezultatet e votimeve do të përcaktojnë nëse vendi do të vazhdojë në kursin e tij pro-evropian nën drejtimin presidenten Maia Sandu.

Partia pro-evropiane e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e Sandu në pushtet aktualisht mban 63 nga 101 vende, por përballet me rrezikun e humbjes së shumicës së saj absolute – që do të thotë se mund të mos jetë më në gjendje të qeverisë e vetme.

Formimi i koalicionit pritet të jetë i vështirë. Aleancat e paqëndrueshme kanë çuar vazhdimisht në paqëndrueshmëri politike gjatë viteve të fundit.

Periudha para votimit është shënuar me tensione të larta politike.

“Komisioni zgjedhor përjashtoi të premten partinë Zemra e Moldavisë, pjesë e Bllokut Zgjedhor Patriotik me katër parti miqësore me Rusinë dhe që konsiderohet një pretendente e fortë në zgjedhje, duke përmendur shkelje të dyshuara të financimit”, sipas raportimeve.

Një bllok tjetër zgjedhor, Alternativa, i udhëhequr nga kryetari i bashkisë së Kishinevit, Ion Ceban dhe kandidati presidencial i vitit 2024, Alexandr Stoianoglo, konsiderohet gjithashtu një pjesëmarrës i mundshëm në parlament.

Fillimi i javës, nisi me bastisje në të gjithë vendin ku u arrestuan më shumë se 70 persona në lidhje me akuzat për ndërhyrje nga Rusia në zgjedhjet e ardhshme.

Autoritetet thanë se disa të dyshuar ishin stërvitur me armë në Serbi.

Sandu, për ZDF, akuzoi Moskën se ka shpenzuar “qindra miliona euro” për të financuar partitë politike, për të korruptuar votuesit dhe për të trajnuar të rinjtë për aktivitete destabilizimi.

Akuza për blerje votash dhe fushata dezinformimi u raportuan gjithashtu gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Moldavia ka qenë e ndarë midis Rusisë dhe Perëndimit për dekada të tëra. Moska ruan ndikim të konsiderueshëm në ish-republikën e varfër sovjetike, veçanërisht në rajonin e shkëputur të Transnistrisë ku janë të stacionuar ushtarë rusë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›