E Diel, 1 Nëntor 2026

TURQI – Debati për buxhetin, përplasje fizike midis mazhorancës dhe opozitës

STAMBOLL, 22 dhjetor /ATSH/- Gjatë raundit të fundit të diskutimeve për buxhetin, deputetët e partisë në pushtet AKP dhe partisë më të madhe opozitare CHP u përleshën me grushte brenda sallës së Kuvendit dhe seanca u desh të ndërpritej, sipas “Türkiye Today”.

Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht.

Sipas medias turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin.

Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.

Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës.

Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.

Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.

Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmus u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të ndalnin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt.

Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, Kuvendi miratoi projektligjet kryesore.

Ligji i buxhetit të vitit 2026 u miratua me 320 vota pro dhe 249 kundër; projektligji përfundimtar për vitin 2024 u miratua me 316 vota kundër dhe 247 kundër. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›