TURQI – Erdogan: Vendimet për të njohur Palestinën përshpejtojnë zgjidhjen me dy shtete

STAMBOLL, 21 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia shpreson që vendimet e ardhshme nga vende të ndryshme për të njohur shtetin e Palestinës do të përshpejtojnë zbatimin e një zgjidhje me dy shtete.
”Ajo që e bën Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të kësaj jave ndryshe nga ato të mëparshme është se shumë vende do ta njohin shtetin e Palestinës”, u tha Erdogan gazetarëve në Stamboll përpara nisjes së tij për në samitin e Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork.
Lidhur me pjesëmarrjen e presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa, në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti, presidenti turk tha se Ankaraja nuk do ta braktisë Damaskun dhe do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion çdo ditë për të ndihmuar në forcimin e fqinjit të saj.
Presidenti turk gjithashtu njoftoi se do të ketë mundësinë të takohet me presidentin sirian në qendrën ”Turkevi” në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme./ a.jor.