TURQI – Një i vrarë dhe disa të plagosur pas shkëmbimit të zjarrit pranë konsullatës izraelite në Stamboll

STAMBOLL, 7 prill /ATSH/- Një person i armatosur u vra dhe dy të tjerë u plagosën pas një përplasjeje me armë zjarri pranë ndërtesës që strehon konsullatën izraelite në Stamboll, njoftuan sot autoritetet turke, sipas “Reuters”.
Sipas policisë turke, incidenti ndodhi sot kur tre persona të armatosur, të veshur me pantallona kamuflazhi, iu afruan zonës së konsullatës dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë.
Një nga sulmuesit u qëllua për vdekje, ndërsa dy të tjerët mbetën të plagosur. Dy policë gjithashtu u plagosën gjatë përplasjes.
Ngjarja zgjati disa minuta, me të shtëna intensive pranë një pike kontrolli sigurie të qytetit, ku forcat e policisë reaguan menjëherë duke neutralizuar sulmuesit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një nga autorët duke lëvizur mes automjeteve të policisë dhe duke qëlluar me armë automatike dhe pistoletë, ndërsa zona u rrethua dhe u vendos nën kontroll të rreptë sigurie.
Autoritetet turke bënë të ditur se tre sulmuesit kishin lidhje me një grup që “shfrytëzon fenë”, ndërsa dy prej tyre rezultojnë të jenë vëllezër. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë dhe hetimet janë në vijim.
Ndërkohë, burime zyrtare konfirmuan se në momentin e sulmit nuk kishte staf diplomatik izraelit në ndërtesë, pasi konsullata kishte mbetur pa personel që prej përshkallëzimit të tensioneve rajonale pas luftës Izrael-Hamas në vitin 2023.
Sulmi vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe rritjes së masave të sigurisë për objektet diplomatike izraelite në rajon.//a.i/