Berisha: Rritja e çmimeve po godet rëndë pensionistët

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot bonusin për pensionistët si mashtrim elektoral, i përdorur në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë një konference për mediet nga selia blu, Berisha theksoi se “kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025”.
Berisha shtoi se sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do t’u disbursoheshin si bonus pensionistëve.
“Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit”, tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se përfitimet nga kjo skemë janë minimale dhe përjashtojnë një pjesë të madhe të pensionistëve.
“Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 për qind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime. Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë”, tha ai.
Ai shtoi se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe pamundësia për të blerë ilaçe po e rëndon jetën e kësaj shtrese.
“Çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë, duke mos mundur të përballojnë as ushqimin dhe as mjekimin”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për protestë më 17 prill në Tiranë.
“Të mblidhemi në kryengritjen më të fuqishme paqësore për t’i treguar vendin këtij regjimi”, tha Berisha.
/j.p/r.e/