E Martë, 3 Nëntor 2026

TURQI – Zjarre të fuqishme, ndërsa temperaturat arrijnë nivele ekstreme

IZMIR, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Një zjarr i dytë i madh pyjor shpërtheu mbrëmë në Turqi duke u përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve të thata dhe erërave të forta.

”Flakët iu afruan zonave të banuara në provincën perëndimore të Bursës, ku rreth 1 300 persona u evakuuan për në zona të sigurta”, sipas ministrit të Transportit, Abdulkadir Uraloğlu.

Ai tha se ”edhe një strehë për kafshë ishte evakuar”.

Autoritetet bënë të ditur se rreth 500 punonjës shpëtimi ndodhen në terren. Helikopterë dhe avionë janë përdorur për të luftuar flakët nga ajri, por u detyruan të ndaleshin gjatë natës për shkak të rrezikut të operacionit në errësirë.

Departamenti i zjarrfikësve të Stambollit njoftoi se kishte dërguar shtatë automjete për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Një zjarr tjetër i madh ka shpërthyer prej katër ditësh në provincën veriperëndimore të Karabukut.

Sipas raporteve zyrtare, 14 fshatra janë evakuuar.

Ndërsa shkaku i zjarreve mbetet ende i paqartë, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se ”vendi është përballur me nxehtësi ekstreme dhe thatësirë ditët e fundit, ku temperaturat në pjesën juglindore të Turqisë arritën mbi 50 gradë Celsius të premten”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur rrezikun e zjarreve.

Nxehtësia e vetme nuk shkakton zjarre pyjore, por temperaturat e larta, thatësia, lagështia e ulët dhe era janë faktorë që rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së tyre./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›